Edhe në një apartament mund të krijosh një mini park natyror për tu qetësuar

Nuk ka rëndësi nëse ballkoni juaj është i vogël, edhe ai mund të kthehet në një ambient të bukur në të cilin mund të shijoni pasditet tuaja. Dihet që ballkoni është pjesa më e këndshme e apartamentit dhe një vend ku shpesh shplodhemi. Kur ke një ballkon të bukur plot ngjyra, të ngrohtë e mikpritës, dëshira për të qëndruar në të është akoma më e madhe. Këtë ambient mund ta arredojmë shumë bukur duke ndjekur disa këshilla për të mos e mbingarkuar si dhe duke i dhënë pamjen që dëshirojmë. Si fillim kujdesi kryesor duhet të tregohet për  dyshemenë. Ne do të sugjeronim përdorimin e pllakave të vogla prej druri ose imitim druri të cilat i japin një pamje natyrale.

Pas dyshemesë rradhën e kanë lulet. Në ballkon duhet të ketë sa më shumë lule pasi ato e plotësojnë  atë  duke përcjellë energji pozitive dhe relaksuese. Lulet mund të jenë në vazo që qëndrojnë poshtë ose që varen në tavan.  Në një ambient ku lulet janë sistemuar në mënyrën e duhur, disa drita të zgjedhura me kujdes do të krijonin atmosferën në pasditet e gjata. Këto llampa duhet të jenë ekonomike dhe të mos kenë ndriçim të fortë.

Tashmë  ballkoni është gati për të vendosur në të elementët e fundit dhe më të rëndësishëm, mobiljet,  të cilat duhet të jenë në raport më hapësirën e ballkonit. Ai nuk mund të mbingarkohet duke penguar lëvizjen por duhet të vendosen ato mobilje që janë të domosdoshme dhe praktike.  Kështu pasi ke mbaruar punën dhe gjithë aktivitetin e ditës, të buron së brendshmi një dëshirë për t’u rehatuar në këtë ballkon.