Kryeministri Rama vizitë në kompaninë DAST

Kryeminsitri, Edi Rama vizitoi nga afër ambientet e kompanisë “Dast”, pjesë e “Delta Group”, një prej kompanive më të mëdha në fushën e prodhimit të rifiniturave, ngjitësave dhe produkteve të tjera. Gjatë vizitës në kompani Kryeministri Rama cilësoi lehtësirat që qeveria ka krijuar për bizneset ndërsa Presidenti & Ceo Z.Luan Muça vuri theksin tek rëndësia e arsimit profesional.

“Kemi një program në mbështetje të arsimit profesional. Kjo është një problematikë që është një gangrenë e formuar në vite, por ne kemi menduar të sjellim një risi, aty ku sot zhvillohet teoria, në ambientet e shkollave profesionale, ne të shkojmë t’i bashkangjisim praktikën. Kompania mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar me Qeverinë për formimin e shkollave dhe kurseve profesionale, ku profesionistët e ardhshëm do të kualifikohen sipas nevojave të tregut.” u shpreh  Z. Muça.

Në dy vitet e fundit kompania DAST ka mundur të investojë më shumë se kurrë më parë për rritjen e kapaciteteve të saj prodhuese, mbi 8 milionë euro dhe është duke ndërmarrë një investim të ri prej 6 milionë eurosh për ngritjen e një fabrike të re në Shijak. Kjo ka bërë që vetëm në vitin 2015-n të shënohet një rritje rekord me 55% e nivelit të eksporteve dhe me 30% e të ardhurave. Përveç prodhimeve, kompania “DAST” ka të punësuar një numër të konsiderueshëm personash, ndërsa një grup ekspertësh i dedikohen kërkimit shkencor dhe kanë arritur të certifikojnë më shumë se 500 produkte vendase sipas standardeve europiane.