Shtëpi ekologjike nën tokë, propozim i arkitekturës moderne

Një shtëpi nën tokë? Në ditët tona  çdo gjë është e realizueshme. Për të gjithë ata që janë në mbrojtje të natyrës dhe hapësirave me gjelbërim, kjo formë për ndërtimin e shtëpisë është forma më e mirë.  Dhe ndërsa flasim për shtëpi nën tokë nuk po flasim për bunkerë por për rezidenca të mahnitshme banimi.

Të njohura si “shtëpi me impakt të vogël”, këto struktura minimizojnë shkatërrimin e hapësirës së gjelbër për ndërtimin e një objekti banimi sepse e gjithë struktura ndërtohet nën tokë. Dy kompani angleze kanë propozuar ndërtimin e një shtëpie të tillë, që do të ishte po aq e rehatshme sa dhe shtëpitë që ndërtohen mbi tokë. E quajtur Perdu, kjo është një shtëpi në formë rrethi. Për ta shmangur problemin e ndriçimit është zgjedhur të skicohet  në qendër të çatisë një atrium i cili mundëson depërtimin e dritës natyrore brenda hapësirave të banimit. Kjo shtëpi është ekologjike, ajo posedon sistemin e mbledhjes së ujërave, sistemin e kombinuar të ngrohje-ftohjes  si dhe sistemin solar për ngrohjen e ujit. Megjithatë, ekziston një problem i vetëm. Për të pasur  këtë shtëpi ekologjike duhet që të paguhet një shumë goxha e madhe, sepse çmimi i saj është përllogaritur rreth 3  milionë dollarë.