Si mund të jetë një tavolinë mikpritëse?

Në prag të festave jemi gjithnjë duke kërkuar për  aksesorët të cilët janë të duhurit për të krijuar në ambientin e shtëpisë  atmosferën që ne dëshirojmë për ta ndjerë sa më shumë këtë perjudhë të bukur të vitit. Ndërsa kemi vendosur pemën e Vitit të Ri, çorapet pranë oxhakut, jastëkët e ndryshëm zbukurues dhe pasi kemi bërë dhuratat për të afërmit tanë vëmendja zhvendoset tek tavolina e Krishtlindjes dhe natës së ndërrimit të viteve. Si mund të jetë ajo një tavolinë mikpritëse?

Si fillim është e rëndësishme të vendosni për ngjyrën që do të zgjidhni për mbulesën, nëse ajo do jetë njëngjyrëshe  apo e shoqëruar me motive. Në këto festa hapësira ku mund të lëvizim  është e madhe duke mos u limituar vetëm tek ngjyra e gjelbër ose e kuqe, kjo edhe për faktin se janë dy ngjyra shumë të përdorura. Pasi është zgjedhur mbulesa , rradha i vjen aksesorëve. Mundohuni në këtë detaj të mos jeni minimalist por të vendosni në të aksesorë të shumtë  të cilët do të krijonin atmosferën e dëshiruar. Ato mund të jenë lule të ndryshme, qirinj të lartë ose të dekoruar, bredha të vegjël të përshtatur për tavolinë dhe deri tek frutat që lidhen në kontekst me këto festa siç është edhe shega.  Në përgjithësi këta aksesorë vendosen në mesin e tavolinës dhe anash tyre e ka rradhën servisi i pjatave dhe gotave.

Enët e porcelanit  nuk dalin kurrë nga moda dhe përdorimi i tyre nuk është asnjëherë  një zgjedhje e gabuar. Por nëse doni të jeni “ in” këtë vit zgjidhni servise kristali të cilët qëndrojnë në harmoni edhe me serviset e ndryshme të gotave. Mbi pjata duhet të qëndrojnë të dekoruara me aksesorët e duhur edhe pecetat.  Nëse nuk do të keni aksesorët mundohuni të përdorni imagjinatën për një palosje të veçantë të tyre ose mund të zgjidhni peceta të punuara me dorë të cilat do të qëndronin bukur me çdo kombinim.

Pasi ti keni vendosur të gjithë aksesorët sigurohuni të ndizni qirinjtë e lartë , ata të vendosur brenda në gotë ose në mbajtëse argjendi. Dritat e qirinjve e bëjnë gjithnjë atmosferën të ngrohtë  dhe të bukur, mbi të gjitha sigurohuni që në tavolinë të keni personat më të dashur, pasi këto festa janë për familjen.