Trendet e arredimit kanë menduar edhe për romantikët

Në serinë e ngjyrave që do të dominojnë ambientet e shtëpive në këtë sezon dimri sot po sjellim ngjyrën e vjeshtës. Një ngjyrë e krahësueshme me gjethet e zverdhura të pemëve e cila është ngjitur në pasarelat e stilistëve të njohur por që do të qëndronte shumë bukur edhe në ambientin ku jetojmë. Kjo ngjyrë përshtatet më shumë me ata persona të cilët e adhurojnë natyrën dhe mbi të gjitha me personat që stinën e vjeshtës e kanë të preferuarën e tyre, duke qëndruar në romanticitetin që ajo ofron.

Është një ngjyrë lehtësisht e kombinueshme, i jep më shumë dritë shtëpisë dhe mbi të gjitha është një ngjyrë e ngrohtë. Por duhet gjithnjë në përzgjedhjen e kësaj ngjyre të mos teprohet me përdorimin e saj. Duke qenë një ngjyrë e plotë, përdorimi në të gjitha muret e shtëpisë do të sillte një mbingarkesë si dhe do të bënte një mbyllje të ambientit duke e kufizuar vizualisht hapësirën që shtëpia mund të ketë. Kombinimi me ngjyrat e hapura për mobiljet dhe ndërthurja me lule të ndryshme të cilat e mbajnë gjelbërimin në të gjitha stinët do të ishte kombinimi perfekt.